Flamengo: Zico 89 gola, Messi 88

Klubi i Flamengos ka bërë të qartë se do të sfidojë rekordin e Lionel Mesit për gola të shënuar brenda një viti kalendarik, duke deklaruar si ish-kapiteni i Brazilit, Ziko, ka shënuar 89 gola në vitin 1979. 

Mesi ka shënuar deri tani 88 gola në vitin 2012, ndërsa në opinionin publik mendohet se ai ka thyer atë që cilësohej rekordi botëror deri tani, 85 golat e shënuar nga Gerd Myler në vitin 1972. 

"Ne jemi të mërzitur nga kjo situatë, pasi Mesi nuk ka kaluar ende rekordin", tha Bruno Lucena, shefi i departamentit të kërkimit dhe statistikave të Flamengos në një prononcim për "Lance". 

Lucena përllogariti se Ziko shënoi 81 gola për Flamengon në vitin 1979, ndërsa shtoi 7 të tjerë për Brazilin dhe 1 gol në ndeshjen mes Argjentinës dhe formacionit më të mirë të Botës. Ai shtoi gjithashtu se në atë vit, Ziko qëndroi pa luajtur për dy muaj, mes shtatorit dhe nëntorit, për shkak dëmtimi. 

"Nëse do të kishte luajtur për të gjithë vitin, do të kishte shënuar më shumë se 100 gola", tha ai, duke i publikuar në gazetë statistikat e atij viti të sulmuesit brazilian. Sipas tyre, Ziko ka shënuar dy herë nga 6 gola në një ndeshje, një herë katër gola në një ndeshje dhe 5 tregolësha. 

About